Të Nderuar Studentë!

Ju uroj të keni një vit akademik sa më të mbarë dhe suksese për një jetë sa më kualitative!

Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës e konsideron këshillimin e karrierës si një katalizator për rritjen dhe zhvillimin e karrierës, si dhe për të hyrë me sukses në tregun e punës.

Këshillimi i karrierës është një proces ndërpersonal projektuar për të ndihmuar individët në çështjet e zhvillimit të karrierës. Pra, këshillimi i karrierës është njëkohësisht edhe specialitet këshillimi edhe element kryesor i praktikës së përgjithshme të këshillimit. Tendenca për të krijuar këtë lloj shërbimi është karakterizuar nga qëllimi për të hyrë në brendinë e psikologjisë së studentit dhe për të balancuar brenda tij çfarë dëshiron dhe çfarë mundet.

Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës drejton dhe mbështet në mënyrë të vazhdueshme Këshillin Studentor, i cili është një hallkë e rëndësishme në jetën studentore. Këshilli Studentor është një organizim i pavarur studentor i atashuar dhe në bashkëpunim të plotë me institucionin e lartë arsimor ku operon. Funksionimi i Këshillit Studentor bazohet në Ligjin nr.80/2015 datë 22.7.2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, neni 99. Këshilli Studentor i KU “LUARASI” promovon pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinon përfaqësimin e tij në institucion për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të studentëve nëpërmjet përfaqësuesve të tij Senatorë, për përmbushjen e kërkesave të tyre në përputhje me Rregulloren dhe Statutin e KU “LUARASI”.

 

Vizioni i Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës

  • Të fuqizojë studentët për të bërë zgjedhje të përgjegjshme dhe të qëndrueshme gjatë gjithë jetës, në një botë globale dhe dinamike.

 

Misioni i Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës

  • T’i shërbejë nevojave për zhvillim të karrierës së studentëve, duke siguruar cilësi të lartë dhe shërbime të ndryshme nëpërmjet këshillimit, konsultimeve dhe partneriteteve të qëndrueshme, të dizajnuara për të lehtësuar të mësuarit dhe avancimin e mirëqenies me qëllim zhvillimin e profesionalizmit, identitetit dhe të qytetarisë.

 

Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës i ndihmon studentët të arrijmë rezultate të suksesshme:

  • Duke lidhur interesat, vlerat, aftësitë dhe personalitetin e tyre me botën e punës.
  • Duke zhvilluar interesat e tyre nëpërmjet eksplorimit të kualifikimeve dhe karrierave të ndryshme.
  • Duke i inkurajuar ata të testojnë idetë e tyre nëpërmjet internship-eve, intervistave informative, vullnetarizmit dhe aktiviteteve ekstrakurrikulare.
  • Duke u kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes së rezymeve, formateve të CV-ve, letrave të shprehjes së interesit për punë, dhe aftësive të tyre për të fituar intervistat.
  • Duke i dëgjuar me vëmendje lidhur me shqetësimet personale që kanë të bëjnë me vendimet e karrierës.
  • Duke i orientuar ata në zbatimin e vendimeve që marrin dhe duke i mësuar se si të kryejnë një kërkim për punë apo të planifikojnë një kualifikim tjetër profesional.
  • Duke i informuar vazhdimisht ata rreth të gjitha shërbimeve të asistencës së Zyrës.

Një këshillim karriere i mirë ndërgjegjëson studentët për të vlerësuar meritokracinë në personalitetin e tyre.

Orientimi drejt karrierës e bazoj dhe e fokusoj në tre tipare kryesore: 1)- Aftësitë Ndërpersonale të Studentëve, 2)- Personalitetin e Studentëve, dhe 3)- Fushën e Interesave të Studentëve. Duke u fokusuar në këto tre tipare kryesore, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës do të ndihmojë studentët të realizojnë ambiciet e tyre për karrierë, të gjejnë vehten në tregun e punës, të bëjnë aplikime të efektshme, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe për rrjedhojë të përmbushin kriteret e punëdhënësve.

  1. Aftësitë Ndërpersonale të Studentëve Ky tipar kërkon vendosjen e indikatorëve matës nëpërmjet: mesatares (që tregon relativisht inteligjencën e studentëve), aktivizimit nëpër evente të ndryshme (që mund të jenë: workshop-e, konkurse studentore, etj…) dhe kualifikime ekstrakurrikulare (që mund të jenë: trajnime, internship-e, etj…). Këta indikatorë synojnë të nxjerrin në pah cilësitë e studentëve dhe të plotësojnë më mirë elementët që përbëjnë aftësitë e tyre ndërpersonale ku përfshihen: komunikimi verbal dhe jo-verbal, durimi, vullneti, negociimi, zgjidhja e problemeve, marrja e vendimeve dhe këmbëngulja. Në këtë mënyrë synohet të nxiten studentët të aftësohen më shumë, të nxisin konkurrencën e drejtë dhe profesionale ndërmjet tyre, por edhe do të përgatiten më mirë për të hyrë në tregun e vështirë të punës.
  2. Personaliteti i Studentëve Ky tipar do të evidentohet nëpërmjet krijimit dhe zgjerimit të network-eve rinore dhe ndëruniversitare për t’u socializuar me njëri-tjetrin jo vetëm sipas interesave profesionale apo prirjes që ata kanë por edhe sipas tipeve dhe karaktereve që shfaqin. Këto lloj network-e do t’i ndihmojnë studentët të njihen më mirë me njëri-tjetrin, të mësohen të vlerësojnë dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin, por edhe do të nxisin frymën e bashkëpunimit në grup.
  3. Fushat e Interesave të Studentëve Ky tipar synon të zbulojë dhe evidentojë prirjet dhe synimet e tyre, gjë që kërkon të hulumtohet më mirë tregu i punës në funksion të përmbushjes së këtyre interesave.

 

Tre janë shtyllat kryesore ku bazohet puna e Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës:

  • Orientimi drejt Karrierës Për Orientimin drejt Karrierës së studentëve, kemi këto rubrika:
  • Takimet e Karrierës ose Open Days që nënkuptojnë procedurën e këshillimit me drejtuesin e këshillimit të karrierës, në aspektin e ndonjë paqartësie në lidhje me opsionet që kanë studentët për të ardhmen e tyre në mënyrë që të bëjnë zgjedhjen e duhur. Këshillimi bëhet nëpërmjet takimeve drejtpërdrejt me studentët, pjesëmarrjeve nëpër eventet e organizuara apo edhe postës elektronike. Nëpërmjet bashkëbisedimeve me studentët, gjithashtu, evidentohen prirjet e tyre, nevojat për kualifikim dhe fushat e interesit për praktikat mësimore dhe profesionale, për punësim sezonal dhe pas diplomimit. Takimet e karrierës organizohen të shtrira gjatë gjithë harkut kohor të vitit akademik.
  • CV-të dhe Intervistat Kjo nënkupton këshillimin për të siguruar një intervistë pune nëpërmjet paraqitjes së një CV-je të përgatitur sipas rolit dhe kritereve të njoftimit për punësim. Zakonisht punëdhënësit i kushtojnë shumë pak kohë leximit të një CV-je, atëherë duhet që CV-ja të jetë e përgatitur në mënyrë të tillë që të japë një impakt të menjëhershëm dhe maksimal tek punëdhënësi. Në një treg pune, CV-ja është një mjet marketingu kryesor dhe është impresioni i parë që punëdhënësi krijon për aplikantin. Gjithashtu, të rëndësishme për të siguruar një vend pune janë edhe letra e interesit dhe plotësimi i formës së aplikimit. Letra e interesit duhet të jetë e përgatitur në mënyrë të tillë që të demonstrojë aftësitë dhe përshtatshmërinë e aplikantit me pozicionin e ofruar. Ndërsa plotësimi i formës së aplikimit duhet të jetë i saktë dhe korrekt lidhur me sa kërkohet në të. Pasi të fitohet e drejta e intervistës, studenti do të përgatitet se si të ruajë qetësinë dhe të fitojë sigurinë në vetvete. Të gjitha këto këshillime ofrohen për studentët të shtrira gjatë gjithë harkut kohor të vitit akademik, sipas nevojave dhe kërkesave të tyre.
  • Kërkimi si aspekt i karrierës së studentëve dhe si aspekt i orientimeve për mundësi punësimi ka të bëjë njëri me ofrimin e mundësive për rritjen e tyre profesionale dhe tjetri me eksplorimin e informacioneve lidhur me punëdhënësin në tregun e punës. Kjo do të shtojë sigurinë e aplikantit në lidhje me identifikimin e fushave të interesit në përputhje me aftësitë e aplikantit.
  • Lidhur me kërkimin si aspekt të karrierës së studentëve, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës ka vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me institucione të ndryshme duke mundësuar për studentët trajnime të fushave me interes për ta, si dhe pajisjen e tyre me certifikata dhe materiale teorike të vlefshme për karrierat e tyre të ardhshme. Në këtë kuadër dhe në vijim të bashkëpunimeve ndërinstitucionale të krijuara nga Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës, do të vazhdojnë bashkëpunimet me institucionet publike e private duke u ofruar studentëve mundësinë e internship-eve, trajnimeve, kurseve të kualifikimit, praktikave mësimore dhe deri tek mundësitë e aplikimit për punësim.

Një tjetër element i rëndësishëm lidhur me këtë aspekt që Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës synon të realizojë në bashkëpunim me Këshillin Studentor në një të arrdhme të shpejtë, është realizimi i një Konference Studentore. Kjo konferencë do të prezantojë punimet më të mira të studentëve të përgatitura në përputhje me programet mësimore gjatë vitit akademik. Në funksion të kësaj konference do të synohet botimi i një Reviste Studentore me punimet e konferencës.

  • Kërkimi si aspekt i orientimeve për mundësi punësimi është në formën e mbështetjes që ofrohet për studentët duke rekomanduar të diplomuarit tanë pranë institucioneve publike e private, sipas kërkesave të studentëve aplikues. Gjithashtu, janë asistuar dhe do të asistohen studentët në aplikime të ndryshme për punësim sipas kritereve profesionale dhe kritereve të plotësimit të dokumentacionit.

Në funksion të këtij aspekti, një trend mjaft i synuar për studentët tanë janë kryesisht bizneset, të cilët e shohin si mundësinë më me interes për iniciativat e para në tregun e punës, por edhe institucionet publike ku mund të marrin eksperienta administrative.

  • Pjesëmarrja nëpër evenimente i pajis studentët me eksperiencë si për kërkime ashtu edhe për të fituar shprehitë e duhura profesionale. Në këtë kuadër gjatë gjithë vitit akademik organizohen tryeza të rrumbullakëta, leksione të hapura me tematika të ndryshme, trajnime profesionale, workshop-e aktivizuese dhe analitike, konkurse për të nxitur kreativitetin dhe ndjenjën e konkurrencës. Do të vijojnë zhvillimet e praktikave mësimore dhe internship-eve në entet publike dhe private sipas fushave dhe marrëveshjeve apo dakordësive që Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës ka realizuar dhe do të realizojë në vijimiësi, si një element lehtësues për universitetin.
  • Jeta Studentore synon krijimin dhe zgjerimin e rrjeteve studentore nëpërmjet bashkëpunimeve dhe shkëmbimeve të eksperiencave ndër universitare, si dhe pasurimin e jetës social-kulturore brenda universitetit dhe jashtë universitetit.
  • Në kuadër të politikave për zgjerimin e hapësirave dhe mundësive ndërvepruese të studentëve si pjesë përbërëse e mobilitetit rinor, Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës ofron bashkëpunime të ngushta dhe konkrete me institucione të ndryshme rinore për të fuqizuar të rinjtë të marrin një rol aktiv në jetën e tyre, të familjes, shoqërisë, arsimit, ekonomisë, mjedisit dhe zhvillimin politik. Bashkëpunimi me këto organizma rinore do të ndikojë tek të rinjtë e universitetit tonë si një urë lidhëse ndërmjet Shqipërisë dhe komunitetit ndërkombëtar për zhvillimin dhe integrimin e të rinjve tanë në një shoqëri globale. Nëpërmjet këtyre bashkëpunimeve Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës do të mbështesë studentët në pesë sektorë të rëndësishëm që janë: Nismat e të Rinjve, Integrimin e të Rinjve, Përfshirjen e të Rinjve, Frymëzimin e të Rinjve, Ndërveprimin e të Rinjve. Për të nxitur studentët drejt kreativitetit, prosperitetit, sipërmarrjes dhe integritetit, këto bashkëpunime do të përqëndrohen në shtatë fushat kryesore që janë në fokus edhe të nismave rinore të BE-së: Kultura, Arti dhe Sporti, Qytetaria dhe Demokracia, Arsimi dhe Trajnimet/Kualifikimet, Karriera dhe Punësimi, Globalizimi, Risitë, Mjedisi dhe Multimedia.
  • Kontributi i Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës orienton dhe aktivizon studentët edhe në aktivitete social-kulturore që realizohen gjatë të gjithë vitit akademik, sikurse janë: nismat e bamirësisë për shtresat në nevojë, nisma të vullnetarizmit, konkurse sociale që konsistojnë në nxitjen e debateve rreth temave të caktura për të mbrojtur argumentin dhe kundër-argumentin, festa sociale për t’u ribashkuar me vlerat e solidaritetit, vëllazërisë, miqësisë, si dhe për t’u socializuar më shumë të rinjtë me njëri-tjetrin, ekskursione të ndryshme, krijimin e Klubeve Rinore për: Kulturën, Sportin, Kërkuesit e Rinj, Mjedisin, etj.

Informimi i studentëve si një aspekt mjaft i rëndësishëm për Zyrën e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës.

  • Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës realizon informimin e vazhdueshëm me të gjitha mjetet dhe format e komunikimit, të studentëve lidhur me njoftimet, pjesëmarrjet dhe aplikimet, aktivitetet (sikurse janë: leksionet e hapura, trajnimet, workshop-et, internship-et, tryezat e rrumbullakëta, konkurset, praktikat mësimore, njoftimet e punësimit, aktivitetet sociale e kulturore, etj…), si dhe në mbështetje të Këshillit Studentor me të cilin bashkëpunon ngushtë për të gjithë veprimtarinë dhe funksionimin e tij. Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës realizon informime të ndryshme të shtrira gjatë gjithë harkut kohor të vitit akademik.
  • Zyra e Studentit dhe Këshillimit të Karrierës ka përgatitur dhe përgatit materialet informuese për faqen e internetit të universitetit lidhur me të gjithë aktivitetin e saj si Zyrë në mbështetje të Këshillit Studentor dhe të gjithë studentëve të universitetit në shkallë të gjerë.

 

Manual: Hapat e Parë në Tregun e Punës

Kliko këtu>

Drejtues i Zyrës së Studentit dhe Këshillimit të Karrierës