Zhurmë, sa shumë zhurmë …!

Zhurmë, sa shumë zhurmë …!

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 04.02.2018

PROF. ASOC. DR. REZANA KONOMI

*Dekane për Fakultetin e Drejtësisë në KU“Luarasi”

Kryefjala e ditëve të fun dit ka qenë ekstradimi i të etiketuarit “financieri” i grupit të Habilajve dhe duket se kjo çështje është kthyer në një mollë sherri për gjithë organet e drejtësisë, të involvuara në këtë çështje. Prokuroria e Përgjithshme ia kalon fajësinë dy prokurorive, asaj të Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës. Ministria e Drejtësisë delegon fajin te Prokuroria e Përgjithshme, kjo e fundit te Drejtoria e Burgjeve, një pingpong shumë zbavitës nëse do të ishte një videogame, por kur mendon se kjo nuk është një lojë, por një realitet i hidhur i institucioneve të shtetit, madje, të drejtësisë, është keqardhje dhe indinjatë, që vetëm era shtet nuk mund të vijë.

Të dëgjosh çdo ditë, nga çdo drejtues shteti, që nuk kanë dijeni, nuk janë njoftuar, nuk janë informuar, nuk e kanë këtë apo atë dokument në dosje, ndërkohë që opozita dhe gazetarët e disponojnë, është një çmenduri e një lloji jetese shpellarësh prej xhungle, ku vetëm rregullat, parimet dhe autoriteti i shtetit nuk ekzistojnë.

Për të qeshur dhe qarë njëherësh. Si mundet që njerëz, të cilët përzgjidhen për të drejtuar institucionet apo organet e drejtësisë në këtë rast, të jenë kaq të papërgjegjshëm sa të luajnë rolin e të paditurit?

Nuk e di nëse organet e një strukture të quajtur shtet të jenë kaq larg dhe afër njëra-tjetrës, sa të mos kenë asnjë komunikim, asnjë shkëmbim informacioni, njëlloj sikur të punonin në pronë të babait apo në ndonjë pashallëk dhe bëjnë çfarë të duan pa iu trembur syri nga përgjegjësia e veprimit apo e mosveprimit, sepse për ndëshkim apo shpërdorim detyre, as që bëhet fjalë, është një togfjalësh, që nuk gjen vend mes pushtetarëve dhe drejtuesve tanë. Në një kohë tjetër (jo për nostalgji), por nëse do të ndodhte shumë pak nga e gjithë kjo katrahurë, jo vetëm që përgjegjësit nuk do të shihnin më dritën e diellit me sy, por familja do të vuante pasoja shkatërruese. Këtë nuk e them as për të qenë partizane e një modeli ekstrem të dënimit në shkelje të të drejtave të njeriut, por për të treguar ekstremin tjetër, kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila ka zënë një shtrat shumë të rehatshëm në realitetin shqiptar.

Minishteti që unë, por besoj jo vetëm unë, shoh përditë, janë disa taksambledhës, që trokasin nëpër shitës ambulantë apo biznese të vogla, nëpër tregje ku tregtojnë fshatarët, ato pak produkte bujqësore, me të cilat mbajnë frymën gjallë dhe ndonjë gjobëvënës rrugëve sepse lepuri kapet prej qerres. Organet e tjera apo institucionet moderne, u rroftë sistemi i dixhitalizuar se asnjëherë nuk dinë se ç’ndodh në pjesën e vet të tepsisë, kush hyn e kush del, kush ha e kush mbetet i uritur.

Unë nuk merrem me politikë dhe si unë ka shumë, të cilëve nuk na intereson politika dhe aq me pak pushtetarët e çdo krahu, por nuk mund të mos indinjohesh dhe reagosh, kur vëren një diskriminim dhe trajtim të pabarabartë, kur shteti tregon dhëmbët te shtresat e varfra, që i dergj në burg për një poç llambë, ndërsa “të mëdhenjtë” i le të livadhisin sipas qejfit, duke vjedhur pasurinë kombëtare, duke shkelur interesat publike, duke drobitur interesat e qytetarëve, për të cilët asnjë dhe askush nuk mendon. Ky vendi im paska qenë shumë i pasur, kanë ardhur e kanë ikur pseudo investitorë të zgjedhur, nga qeveritë e të gjitha kohërave, kanë ikur të majmur duke lënë një gropë të madhe, të zezë, në arkën e shtetit dhe të gjithë të punësuarit e tyre, që nuk marrin as djersën dhe as bukën e gojës. Kjo sepse inspektoratet e punës, inspektorët tatimore, etj. janë të zënë duke gjobitur ndonjë biznes të vogël me 1 ose 2 të punësuar. Natyrisht, që turmat e punëtorëve masive që u shkelën të drejtat në dritën e diellit, nuk mund t’i shohin sepse fatkeqësisht, ata janë miopë, të zgjedhur enkas për të qenë të tillë.

Është e njëjta histori si me rastin e ekstradimit edhe rasti i ARMO-s. Organe dhe institucione, të cilat nuk kanë vepruar, nuk kanë kryer punën, për të cilën janë paguar nga taksat tona, nuk kanë bashkëvepruar, kanë lejuar, me dashje pa dyshim, sepse nuk ka organe të shurdhra dhe të verbra, që situata të agravojë dhe të gjithë i hedhin fajin njëratjetrës. Turp e faqezezë, kush dëgjon e kush shikon. Po shteti ku është, kur këto organe dhe institucione zihen e grihen për kompetenca dhe askush në fund nuk përgjigjet për pasojat apo vazhdon zhurma derisa të dalë një thagmë tjetër, sikurse ndodhi ekstradimi i fundit dhe e njëjta histori mossuksesi vazhdon…Nuk marr përsipër të kem monopolin e së vërtetës rreth ekstradimit, as të gjykoj është apo jo i drejtë, duhej apo nuk duhej sepse njoh shumë pak fakte, vetëm ato që serviren nga media, por, natyrisht nuk mund të pajtohem me asnjë prononcim publik të asnjë drejtuesi, që luan rolin e të paditurit, kur është në krye të sofrës dhe jo për të ngritur dolli, por për të kryer detyrën që i është besuar dhe për të justifikuar ekzistencën e shtetit ligjor të së drejtës. Retorika të tilla që, i “ekstraduari nuk shkoi për pushime”, por është në funksion të drejtë- sisë italiane, janë sa foshnjarake aq dhe jo profesionale. Nëse është kështu, të nderuar drejtues, pse duhet të ketë parashikime dhe pengesa ligjore, në fund të fundit, të gjithë të ekstraduarit janë sërish pas hekurave, pse duhet të shqetësohemi kaq shumë?!

Përfundimisht, të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe organeve të këtij cuasi-shteti, kam filluar t’i shoh me zili, për të vetmen arsye sepse çdo ditë bëjnë realitet ëndrrat që shohin natën. Zgjimi i gjen mes eksperimentimesh modelesh, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër të botës. Kështu ndodh në arsim, shkencë, tatime, dogana, koncesione, nënshkrim marrëveshjesh, shfaqje dixhitale dhe inagurime shërbimesh online, madje edhe në sport, ku politika kërkon të shtrijë tentakulat, gjoja “për të rritur besimin e humbur”, sa për të qeshur, e thënë nga pushtat tanë. E gjithë kjo, më shumë është fantashkencë sesa realitet. O zot, ku po jetojmë dhe deri kur kështu!!!! Kë jemi duke gënjyer kaq rëndë?

Europën..botën…apo vetën?

Në këtë amulli, në mungesë të informimit publik me gjithçka ndodh dhe që lidhet me interesat publike, thuren vetëm legjenda urbane, të cilat, përveçse shërbejnë si ushqim i studiove televizive dhe pseudo-analistëve partiakë, nuk kanë asnjë vlerë as për të zbuluar të vërtetën dhe as për të gjetur përgjegjësitë dhe zgjidhur pasojat. Mungesa e theksuar e përgjegjësive të drejtuesve tanë për informim, jo llogaridhënie sepse është shumë utopike kjo e fundit, të bën të kuptosh sa të pushtetshëm dhe të paprekshëm janë për gjithçka bëjnë.

Është totalisht e pakuptimtë se si funksionojnë institucionet tona në këtë terr informativ, në një mungesë të theksuar transparencë, e cila gjithmonë fsheh hije dyshime, edhe kur ndoshta, të gjitha veprimet, negociatat apo zgjidhjet janë në favor të interesave kombëtare.

Nëse organet e drejtësisë ndodhen në këtë kaos kompetencash dhe mungese bashkëpunimi, ç’mund të presësh nga të tjerët? Kjo tregon se vetingu i paska “shkundur” apo “reforma në drejtësi ka filluar te veprojë”?!

Nuk e di nëse ishte kjo ajo që pritej nga zhurma e realizimit të detyrave që Europa i ka ngarkuar Shqipërisë, si parakusht për çeljen e negociatave. Ky është shteti që duhet të pranohet në Europë?! Nëse është kështu, jo, më mirë jo, nuk kemi kaq shumë burgje për gjithë të vobektët, që shteti u tregon vendin për të treguar se mekanizmi funksionon. Nëse Europa gënjehet nga shteti virtual, ose është e çmendur, ose na mëshiron. Ne nuk meritojmë as të kërkojmë dhe as të aspirojmë derisa nuk zgjidhim dot detyrat mes vetes. Derisa shfaqjet dhe gjuha e urrejtjes të pushojë së ekzistuari, së pari në tempullin e demokracisë, derisa arroganca, papërgjegjshmëria, paaftësia, korrupsioni dhe kurvëria të mos jenë vlera dhe password që hapin çdo derë, vetëm atëherë, kur truri dhe mendja të detoksifikohen nga e keqja që na ka pushtuar shpirtrat, kur reagimi qytetar të vijë nga nevoja për të mbrojtur të drejtën dhe jo nga thirrjet e çjerra të politikanëve, mund të jemi gati dhe të jemi në Europë, të barabartë mes të barabartëve dhe jo vasalë për të blerë vota, që të mund të shfrytëzojmë ndonjë vrimë hyrëse për në BE, aty ku shteti, e drejta, rregulli, ligji, parimet dhe vlerat, janë të vetmet vlera që ndërtojnë demokracinë dhe kontribuojnë në rritje e cilë- sisë së jetës.

Artikull në GAZETËN PANORAMA  – 04.02.2018

http://www.panorama.com.al/zhurme-sa-shume-zhurme/