Misioni/Vizioni

KU “Luarasi” përfaqëson një nga institucionet e para jopublike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë, i themeluar me objektiv krijimin e një qëndre ekselence të edukimit dhe kërkimit shkencor. Strategjia e zhvillimit të institucionit, prej themelimit, është fokusuar në tre drejtimet bazë të procesit akademik: Mësimdhënia, Kërkimi Shkencor dhe Kontributi për Shoqërinë, si pjesë të pandara të trekëndëshit të dijes.

 

Mësimdhënia është themeli i ekzistencës të një institucioni arsimor dhe për këtë arsye, në KU “Luarasi”, i është kushtuar e gjithë vëmendja e duhur. Si objektivat kryesore, në kuadër të procesit të mësimdhënies, janë identifikuar:

  • Pajisja e studentëve me njohuritë më bashkëkohore;
  • Përfshirja aktive e studentëve në procesin e të mësuarit, nëpërmjet nxitjes së të menduarit kritik;
  • Angazhimi i studentëve në problematikat aktuale;
  • Orientimi i studentëve drejt kërkimit shkencor;

 

Politikat e kërkimit shkencor të hartuara dhe implementuara nga KU “Luarasi” kanë synuar të arrijnë këto objektiva:

  • Të rrisin performancën shkencore të personelit akademik në dimensionet bashkëkohore dhe nivelin kërkimor europian;
  • Të gjenerojnë kërkim shkencor, nëpërmjet: organizimit të konferencave shkencore apo mbështetjes së pjesëmarrjes së personelit akademik në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare; botimit të revistës shkencore periodike të KU “Luarasi”; bashkëpunimit me lektorë vëndas dhe të huaj; bashkëpunimit me institucione të tjera të arsimit të lartë, etj;
  • Të kthejnë insitucionin në një qëndër të vlerave elitare, konkurues në tregun e arsimit të lartë kombëtar dhe më gjërë;

Duke startuar me një program në degën e drejtësisë, me bindjen se vendi ka nevoja të ngutshme për një sistem gjyqësor të përgatitur mirë, avokatë e noterë të zotë dhe një administratë publike në nivele bashkëkohore, KU “Luarasi”, përgjatë këtyre viteve, ka krijuar dhe konsoliduar reputacionin më të lartë në këtë fushë. Fakulteti i Drejtësisë është fakulteti i parë i akredituar në vend, që i ka ofruar sektorit publik dhe sipërmarrjeve private juristë nga më të përgatiturit. E gjitha kjo falë një strategjie zhvillimi mbështetur mbi filozofinë e përgatitjes së studentëve me aftësi të forta analitike dhe jo thjesht riprodhuese. Një standard i tillë është adoptuar edhe sa i takon programeve të studimit në fushën e ekonomisë që tashmë, prej disa viteve, ofrohen nga institucioni, si tregues i zhvillimit dhe zgjerimit të tij, në përputhje me planin e zhvillimit strategjik 2012 – 2016.

Vizioni i KU “Luarasi” përmblidhet në angazhimin për krijimin e një institucioni cilësor, i cili prodhon elita profesionistësh, duke qenë lider në zhvillimin e dijes në shoqërinë shqiptare. Studentëve u ofrohet një edukim cilësor që reflekton rezultatet e kërkimit shkencor të vazhdueshëm dhe përpjekjet për  shfrytëzimin e arritjeve më të mira të shkencës, në fushat përkatëse të studimit.

 

Vlerat themelore që institucioni promovon përmblidhen në: Lidership; Cilësi dhe punë grupi; Liri eksplorimi intelektual; Drejtësi dhe integritet; Transparencë dhe përgjegjshmëri; Të mësuarit gjatë gjithë jetës.

 

Institucioni ka identifikuar, në këto 12 vite eksperiencë, ndër pikat më të forta:

  1. Studentët – Aktualisht janë diplomuar mbi 1300 studentë, rreth 80% e të cilëve punësohen që vitin e parë pas diplomimit. Studentë nga KU “Luarasi” kanë fituar provimin e hyrjes në Shkollën e Magjistraturës, punojnë në sistemin gjyqësor, administratë publike, kompani private, organizata ndërkombëtare, etj., duke reflektuar kudo standardin e e tyre të lartë cilësor të edukimit.

b)      Personelin akademik – që përfaqësohet nga disa prej pedagogëve më të shquar në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë. Pedagogët, përgjithësisht, kanë një karrierë shumë të pasur e të larmishme në fushën akademike, shkencore e mësimdhënie. 

c)      Politikat lidhur me aplikimin e bursave dhe mbështetjen e studentëve për praktikat mësimore. KU “Luarasi” ofron bursa studimi për studentët e shkëlqyer, duke vlerësuar ekselencën dhe stimuluar konkurencën. Studentët asistohen financiarisht dhe përmes marrëveshjeve me institucionet publike dhe biznesin realizohet mbështetja e tyre për praktikat mësimore.

  1. Bashkëpunimin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, i cili po zgjerohet vit pas viti, dhe që synon zgjerimin e kapitaleve njerëzore që sjellin eksperiencat e tyre më të mira në fushat e drejtësisë dhe ekonomisë.
  2. Infrastrukturën dhe logjistikën bashkëkohore, që bëjnë të mundur zhvillimin normal të procesit mësimor dhe i ofrojnë studentëve komoditetin e nevojshëm për realizimin me sukses të programit të studimit dhe zgjerimin e aftësive të tyre profesionale.

 

Zhvillimi strategjik i institucionit është formatuar në dokumentin Plani i Zhvillimit Institucional të KU “Luarasi”, 2012 – 2016. Ky dokument përfaqëson kontributin e personelit akademik dhe administrativ të KU “Luarasi”, dhe është hartuar duke marrë në konsideratë:

  • Vizionin dhe ambicien e ortakut që zotëron shoqërinë, për ta shndërruar institucionin në një faktor të rëndësishëm të arsimit jopublik në vend, përmes investimit të vazhdueshëm në infrastrukturë, teknologji, cilësinë e personelit akademik, administrativ, etj.;
  • Përvojën e vyer të KU “Luarasi” si një institucion i cili ka  siguruar një standard të lartë cilësie, në një treg kaotik të arsimit të lartë jopublik;
  • Eksperiencën më të mirë edhe të aktorëve të tjerë cilësorë në tregun e arsimit të lartë kombëtar;
  • Eksperiencën e institucioneve arsimore më të përparuara të rajonit dhe më gjerë.

 

Në planin afatshkurtër, KU “Luarasi”, pas përfundimit të fazës së zgjerimit të aktivitetit me degë dhe programe të reja studimi në vitin 2012, ka synuar konsolidimin e këtyre programeve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së mësimdhënies, për t’i bërë ato të krahasueshëm  me programet më të mira të fushave përkatëse, në vend e më gjerë.

 

Angazhimi mbizotërues, në këtë fazë zhvillimi të institucionit, ka qënë dhe mbetet vlerësimi me kujdes i të gjitha problematikave të hasura deri tani, me qëllim përmirësimin e kurrikulës, planeve mësimore, syllabuseve, etj., duke reflektuar në këtë proces inputet e marra nga studentët. Mbi bazën e kësaj analize të hollësishme, në vazhdimësi, janë implementuar masat e duhura akademike dhe organizative, si pjesë e një përpjekje të vazhdueshme, për arritjen e objektivave të përcaktuara në planin afatmesëm dhe afatgjatë që, përmbledhtazi, konsistojnë në arritjen e ekselencës akademike, nëpërmjet:

  • Rritjes së vazhdueshme të financimit për institucionin, objektiv që bën të mundur përmirësimin e cilësisë së personelit akademik dhe administrativ, zgjerimin e gamës së aktiviteteve në funksion të programeve të studimit, shtimin e literaturës bazë dhe ndihmëse për studentët, etj.
  • Rritjes së cilësisë së pranimit të studentëve. Hapi i parë i domosdoshëm në funksion të rritjes cilësore të institucionit, duke konsideruar rëndësinë e programeve në formimin e ekspertëve në drejtësi dhe ekonomi, mbetet pranimi i maturantëve sa më cilësorë, çka do të arrihet gradualisht, duke vendosur dhe zbatuar kritere rigoroze pranimi, që bazohen, para së gjithash, në performancën akademike të kandidatit. Në funksion të këtij objektivi mbetet edhe angazhimi i vazhdueshëm i institucionit për mbështetjen e ekselencës me bursa studimi apo financime nga biznesi.
  • Përmirësimit të cilësisë së mësimdhënies dhe ambientit të mësimit. Nga institucioni synohet jo vetëm rritja e cilësisë së personelit akademik të rekrutuar por edhe kualifikimi i vazhdueshëm profesional, nëpërmjet: financimit të studimeve; nxitjes së pjesmarrjes në konferenca shkencore; financimit të aktivitetit shkencor individual; organizimit të trajnimeve në institucion; etj. Paralel me këtë proces, mbeten sfida të rëndësishme përmirësimi i infrastrukturës dhe logjistikës së institucionit, sfida të cilat janë adresuar me përkushtimin e duhur dhe me rezultate konkrete e të dukshme. Përmirësimi i teknologjisë, në funksion të mësimdhënies, vlerësohet si prioritet i institucionit, për të ruajtur ritmin e zhvillimeve të rëndësishme globale.
  • Orientimit të kërkimit shkencor në përputhje me perspektivën europiane dhe objektivat e mijëvjecarit.
  • Zgjerimit të bashkëpunimit me institucione europiane të arsimit të lartë, duke synuar rritjen e shkëmbimeve në nivelin e personelit akademik, këmbimin e literaturës shkencore në funksion të studentëve, realizimin e mobilitetit të studentëve, pjesmarrjen në projekte të përbashkëta të kërkimit shkencor, etj.