Prof. Dr. Aleks Luarasi themeloi  “Luarasin”, fillimisht me një fakultet, atë të Drejtësisë, që u emërtua zyrtarisht, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 611 të datës 11 shtator 2003, si: Shkolla e Lartë Universitare Jopublike “Luarasi.”

Orientimi bazë qe kombinimi i traditës me mendimin e përparuar shkencor, produkt i studimeve serioze brënda dhe jashtë vendit, me investime afatgjata, bazuar tek puna studimore dhe kërkimi shkencor, nën moton: “Ne vlerësojmë traditën, kuptojmë të tashmen, përgatisim të ardhmen!”

“Luarasi”, “familja” jonë e përbashkët, e mbi 1000 studentëve të diplomuar në vite, prej të cilëve, 35 kanë ekuivalentuar diplomat dhe vijojnë studimet Master në SHBA; e rreth 100 studentëve që kanë vazhduar studimet MA në vende të ndryshme të BE; e pedagogëve dhe  e lektorëve profesionalë, të huaj dhe vendës, mbushi 11 vjet. Një dekadë nuk është shumë në jetën e një institucioni të Arsimit të Lartë, por është e rëndësishme se si janë vendosur gurët e themelit, cilat janë tiparet dhe ambiciet, energjia dhe motivimi. Kuptimi mbi jetën akademike dhe kohën e saj ka një relativitet pozitiv, sepse nëse pedagogët që lektrojnë në auditoret e tij, kanë një eksperiencë pune disadekadëshe, atëherë mosha e universitetit zgjerohet duke kaluar cakun e dekadës së parë. Nëse tekstet mësimore, literatura e rekomanduar, syllabus-et, kurrikulat, zbresin poshtë në histori me vite, dekada, e problematika historike institucionale shekullore, atëherë, mosha reale e universitetit është diçka tjetër dhe jo sa vitet e datimit zyrtar.

Nëse ne me punën mësimore dhe atë të kërkimit shkencor, përshpejtojmë ritmin duke lënë pas dijet e vjetruara, qofshin ato dhe shkencore, e përfshihemi në atë që sot quhet në rangun botëror “Revolucioni Kurrikular” – si sfidë globale, me qëllim sjelljen në auditore të mendimit më të ri të përparuar, të dijeve që përthithin në diskutim problematika të mprehta, si dhe dijen europiane të standardizuar, pikësynimi ynë real që preket çdo ditë falë investimit, është krijimi i trinomit të gjithëtakuar në vendet e zhvilluara: Dije të thella të qëndrueshme me një kombinim në prerje shumëfushësie shkencore -Kompetencë profesionale në metodologji dhe kreativitet shkencor e aplikativ – Aftësi praktike për t’u orientuar në tregun e punës dhe në ndërtimin deri të aktiviteteve të pavarura, falë vetëpunësimit.

Ne jemi të besueshëm, sepse studentët e “Luarasit” janë të suksesshëm në tregun e punës, duke siguruar kështu një bonus për brezat që do të vijnë. Ne jemi pjesë reale e ZEAL – Zonës Europiane të Arsimit të Lartë, sepse studentët tanë po përfundojnë jo vetëm studimet MA, por edhe Doktoratura jashtë Shqipërisë, pa asnjë provim shtesë. Ne jemi proaktivë shoqërorë, sepse shumë nga punimet shkencore më në zë, librat dhe tekstet mësimore universitare në qarkullim, janë të autorëve që lektrojnë në auditoret e “Luarasit”.

Pas një studimi dyvjeçar, “Qendra e Kërkimit Shkencor” e  “Luarasit”, si partnere e Universitetit të Pavias dhe pjesë e një rrjeti global universitetesh, përfundoi studimin në lidhje me problematikën e mprehtë të mbrojtjes së konsumatorit nga ushqimet e falsifikuara, përmes legjislacionit, dhe e paraqiti në një Konferencë Ndërkombëtare, mbajtur në ambientet e Universitetit të Pavias në prill 2012. Për herë të parë në vendin tonë,  “Luarasi”, në bashkëpunim me Lidhjen e Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe në bashkëpunim me Gjykatën e Strasburgut, organizuan Konferencën Ndërkombëtare mbi Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, duke përvijuar drejtimet e kurimit të gjendjes si legjislacion, si procedurë, si administrim dhe si luftë kundër informalitetit e korrupsionit.

Nuk është e rastit që vetëm studentë të “Luarasit” kanë mbërritur të pranohen, nëpërmjet   konkurrimit, në Shkollën e Magjistraturës.  Së fundmi, në vitin 2013 ish – studentja jonë Olta Goxhaj u kualifikua e para në konkursin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës.

Mbi afro 80% të studentëve tanë të diplomuar janë punësuar në sektorin publik, privat, profesione të lira dhe si të vetëpunësuar.

Nga viti akademik 2012 – 2013  “Luarasi” ka shumfishuar programet e studimit, duke hapur Fakultetin Ekonomik me disa degë, në nivel “Bachelor”, “Master Shkencor” e “Master Profesional.”

“Luarasi” po hedh hapa të sigurt drejt të ardhmes. Gjyqtari i parë shqiptar në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strazburg, Zoti Kristaq Traja ka qenë Rektor i ” Luarasit”. Kreu i Gjykatës së Lartë në RSH, Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, është lektor primar në institucionin tonë. Studentët që kanë përfunduar studimet tek “Luarasi”, punojnë në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Kulturës, të Financave, në Ministrinë e Integrimit, në Kuvendin e Shqipërisë, në Gjykatën e Shkallës së Parë, në Zyrën e Tatim- Taksave, në Bashkitë e Tiranës, Elbasanit, Korçës etj., në CEZ, në studiot juridike “Kalo”, “Haxhia”, “Ngjela”, “Braka”, “Zaka”, “Pustina”, “Hakani” etj., etj.

“Luarasi”  boton revistën shkencore, me një bord të përzgjedhur drejtues, autoritete brenda dhe jashtë vendit, titulluar: “MENDIMI” – studime në jurisprudencë & ekonomi, ku botohen punime serioze nga autorë vendas e të huaj dhe publikohen edhe punime të studentëve tanë që vijojnë studimet apo i kanë përfunduar ato.

Disa nga ish-studentët tanë janë sot pedagogë tek “Luarasi” dhe në Universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”,  në Elbasan, Shkodër, Vlorë. Pedagogë të  “Luarasit” janë studiues skrupulozë shumëvjeçarë, në fusha të së drejtës, si në të drejtën kushtetuese, atë civile, administrative, penale; apo të procedurave respektive, sic janë personalitetet Sokol Sadushi (aktualisht rektor i universitetit), Valentina Kondili, Ylvi Myrtja, Spiro Spiro, Arta Mandro, Marjana Semini, Irakli Koçollari, Sokol Berberi, Përparim Kabo, etj. Falë punës së tyre me pasion dhe durim, arrijnë të fusin në kurrikulat universitare me dinjitet dhe profesionalizëm, lëndë mësimore që nuk janë zhvilluar më parë, por se ato janë në kurrikulat e universiteteve më të mira në botë.

Fjalët tona, të thjeshta, por serioze e të sinqerta, janë: Dyert tona janë të hapura. Mirë se vini në një Shkollë të Arsimit të Lartë si “Luarasi”, që të ndihmon të ndërtosh të ardhmen duke ta ushqyer mendjen me dije.