“Luarasi”, pakt me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit

“Luarasi”, pakt me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 08.05.2017

Një tjetër institucion u shtohet partneriteteve të Kolegjit Universitar “Luarasi”. Bëhet fjalë për Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit, i cili ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi të ndërsjellë me Universitetin.

Përfitimet janë të shumëfishta për të dyja palët. Konkretisht, stafi akademik dhe studentët e Fakultetit Ekonomik të “Luarasit” kanë një tjetër institucion që i mbështet në kurrikulat e veçanërisht në praktikat akademike.

Hapi i parë i marrëveshjes është konsultimi me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit për kurrikulat e lëndëve në fushën e kontabilitetit, duke filluar nga njohuritë bazike deri te përfitimi me konkurrim i licencave profesionale në fushën e kontabilitetit dhe auditimit të stafeve dhe studenteve të “Luarasit”.Pjesë e bashkëpunimit do të jenë gjithashtu organizimi i studimeve dhe trajnimeve, konsultimi deri te syllabuset për organizimin e kurseve të thelluara për stafet e institucioneve
publike dhe kompanive private.

Qëllimi final i marrëveshjes së radhës, e cila nuk është thjesht një numër më shumë, por me impakt direkt në formimin e të rinjve të “Luarasit”, është intensifikimi i marrëdhënieve institucionale, duke e bërë kështu më të lehtë angazhimin e studentëve të Universitetit pranë këtij institucioni.

Ashtu si me partnerët e tjerë, bashkëpunimi i Kolegjit Universitar “Luarasi” me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit synohet të jetë dinamik, në përputhje me prioritetet dhe sfidat në fushën e mirëmenaxhimit. Të mësuarit përmes praktikës është konkretizuar tashmë prej kohësh të “Luarasi”, falë edhe një rrjeti të gjerë bashkëpunimesh me institucione e biznese të ndryshme në vend.

 

 

 

http://www.panorama.com.al/luarasi-pakt-me-keshillin-kombetar-te-kontabilitetit/