KOLEGJI UNIVERSITAR “LUARASI” HAP KLINIKËN LIGJORE “LUARASI”

Kolegji Universitar “Luarasi” ka hapur këtë vit akademik një Klinikë Ligjore me staf të përbërë nga studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe të mbikqyrur nga pedagogët e tyre. Kryetari i Bordit të Klinikës, pedagogu Dashamir Kore dhe pedagogët mbikqyrës të klinikës janë emra të njohur e me eksperiencë të gjatë në praktikën gjyqësore.
Qëllimi i projektit “Klinika Ligjore “Luarasi”, mundësuar nga Kolegji Universitar “Luarasi” dhe Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, është që të ofrojë ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike për të përballuar përfaqësimin nga avokati.
Objektivat që dëshirohen të arrihen me Klinikën Ligjore janë:

  • Të ofrojë shërbime juridike drejt grupeve sociale dhe individëve të rrezikuar të cilët nuk arrijnë t’i përdorin apo të përfitojnë nga të drejtat dhe liritë e parashikuara me ligj;
  • Të përfshijë studentët e Fakultetit Juridik, juristët e ardhshëm në klinikë dhe ato që do të arrijnë të fitojnë njohuri dhe përvoja praktike në profesionin e juristit edhe para përfundimit të studimeve. Në Klinikën e Ligjit simulimi i proceseve ku studentët të mësojnë mënyrën se si procedohet në procese penale, civile dhe administrative në sallën e gjyqit të jetë praktik pune e vazhdueshme. Simulimi i gjyqeve duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i hapur për studentët brenda dhe jashtë Fakultetit Juridik Luarasi. Qëllimi është që sa më shumë studentë të njihen me mënyrën si procedohet në një proces gjyqësor, dhe kjo duhet të shoqërohet me detyra konkrete dhe krijimin nga ana e stafit të një praktike tip për çdo rol (gjyqtar, avokat, prokuror);
  • Të edukojë dhe ndërgjegjësojë qytetarët për denoncimin e shkeljeve ligjore;
  • Të krijojë shembullin/modelin e juristit etik, profesional dhe human.

Zyra e Klinikës Ligjore “Luarasi” ndodhet në katin e parë të godinës së Kolegjit Universitar “Luarasi”. Në Klinikën Ligjore Luarasi do të trajtohen rreth 30 çështje në vit dhe do të gjykohet rast pas rasti lidhur me ndjekjen e proceseve gjyqësore.
“Ne” jemi me të vërtetë krenar për ngritjen e Klinikës Ligjore “Luarasi” pasi është një mundësi e shkëlqyer për studentët tanë për të zhvilluar aftësitë e tyre praktike. Klinika ofron një mundësi unike që studentët e drejtësisë të fitojnë përvojë pune me klientët në një mjedis të ngjashëm me atë të zyrave ligjore.

Klinika Ligjore “Luarasi” ndodhet në katin e parë të Kolegjit Universitar “Luarasi”, në adresën:
Rruga e Elbasanit, Nd. 59, H. 1, Kodi Postar 1010, Tiranë.

Orari i Klinikës Ligjore “Luarasi” është: E Hënë – E Premte, 09.00-13.00