Dhuna në familje, tryezë me ekspertët te “Luarasi”

Dhuna në familje, tryezë me ekspertët te “Luarasi”

 

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 14.09.2017

 

Dhuna në familje është një ndër fenomenet më të përhapura dhe më të paraportuara në shoqërinë shqiptare. Në përpjekje për të mos qenë indiferentë ndaj një prej plagëve më të rënda sociale që po kalon vendi ynë, Kolegji Universitar “Luarasi” mblodhi dje avokatë, prokurorë e gjyqtarë për të konkluduar disa masa parandaluese, të cilat do t’ua paraqesin ligjvënësve. “Dhuna në familje nuk është vetëm çështje ekspertize.

dhuna

Duke qenë pjesë e kësaj shoqërie, na prek të gjithëve. Duke qenë se është një fenomen që tashmë ka marrë përmasa shumë të mëdha, të pajustifikuara, nuk mund të ishim të pandjeshëm ndaj saj, ndaj mblodhëm këtë tryezë për të thënë diçka, që nëpërmjet fjalës suaj si ekspertë, do t’u vlejë ligjvënësve për të bërë rregullimet e duhura dhe mbarë shoqërisë”, nënvizoi dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Rezana Konomi.

 

 

Duke folur me gjuhën e shifrave, rektori i “Luarasit”, prof. dr. Arben Malaj, theksoi se shoqëria duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe barazisë gjinore, pasi roli i tyre, sipas teorive të zhvillimit ekonomik, është përcaktues për të ardhmen e mbarë shoqërisë.

“Tema që trajtojmë në thelb është një problem kulturor. Shpeshherë gratë janë viktimë e heshtjes së tyre. Studimet tregojnë se ata e bëjnë në emër të fëmijëve apo në emër të mbijetesës së martesës. I mbetem idesë që ne na duhen politika parandaluese, që në thelb kanë edukimin dhe pastaj dhe politika penalizuese kur ndodhemi përballë veprave penale. Do të duhet një bashkëpunim më i mirë midis jush e klinikës ligjore të Luarasit”.

PROBLEMATIKAT

Aktualisht, institucionet nuk japin ndihmën maksimale ndaj viktimave të dhunës. Për këtë janë të vetëdijshëm edhe ata që janë pjesë e këtij sistemi, të cilët jo rrallëherë kanë pasur raste jo të suksesshme të trajtimit të viktimave të dhunës, edhe në kushtet e mungesës së mbrojtjes dhe rehabilitimit të atyre që vuajnë një dramë të tillë.

“Është e tmerrshme të të rrijë gruaja përballë komisariatit dhe nuk di ku ta çosh, sepse nuk të përgjigjet koordinatori në bashki që punon deri në orën 16:00”, rrëfen Silvana Alimadhi, shefe e sektorit të dhunës në familje në Policinë e Shtetit. Për pedagogun e “Luarasit”, avokatin Sajmir Vishaj, nevojitet ndërtimi i një strategjie të përbashkët që të parandalojë fenomenin.

“E mira është ta nisim luftën tonë pa ndodhur fakti, ta parandalojmë. Nuk mund të jetojnë në një banesë e dhunuara dhe agresori. Është e pamundur që në një sipërfaqe 60 metra katrorë i/e dhunuara e dhunuesi të kenë një urdhër mbrojtjeje për të mos iu afruar njëri-tjetrit më shumë se një metër, është e pamundur”. Qëllimi i tryezës së rrumbullakët ishte rritja e ndërgjegjë- simit për dhunën në familje, si dhe pasojat që ajo lë në pjesëtarët e saj dhe krejt shoqërinë në përgjithësi.

Artikull në GAZETËN PANORAMA – 14.09.2017

http://www.panorama.com.al/dhuna-ne-familje-tryeze-me-ekspertet-te-luarasi/