Të dashur studentë,
Mirësevini në Universitetin "LUARASI". Në
themelet e tij unë kam vene shpirtin tim, kurse ju besimin
dhe mundin tuaj.
Çelja e këtij universiteti ka qenë një
ëndërr e imja e hershme që u bë e mundur në
vitin 2003, në kushtet e reja që u krijuan në Shqipëri
pas kthesës demokratike. Dëshira ime ishte të krijoja
një universitet në traditat e shkollës shqipe,
kombëtare dhe laike.
Tashme Universiteti "LUARASI" është një
realitet në zhvillim. Ambicia ime është të
krijoj një universitet cilësor, të krahasueshëm
me ato të vendeve të zhvilluara perëndimore, me
mjedise moderne e komode, me teknologji të përparuar,
me profesorat të kualifikuar dhe literature të pasur.
Në fund të fundit, ne së bashku, vumë gurët
e themelit. Gjeneratat e reja do ta cojnë më tej këtë
nismë.
Për shkak të vështirësive të njohura,
që u krijuan në vendin tone gjatë periudhës
së tranzicionit, shume njerëz na njohin në botë
si një popull refugjatësh, të aftë për
të bërë punë të rëndomta. Unë,
me bashkëpunëtorët e mij, me stafin akademik dhe
me studentët, dëshiroj t'i provojmë botës
se shqiptarët janë të aftë, jo vetëm
për punë të thjeshta, por të themelojne universitete
cilësore, të ngjitin shkallët e dijes dhe të
shkencës, njësoj si popujt e tjerë të përparuar.
Në botë ka shumë universitete të vjetër
dhe cilësorë që janë produkt i historisë
njerëzore. Varfëria dhe prapambetja jonë e përkohshme
janë, gjithashtu, produkt i historisë së vendit
tonë. Por populli ynë i mëncur na ka mësuar
të kemi si virtyt trimërine, të mos tutemi dhe
të sulmojmë majat. Në fund të fundit ne duhet
të krijojmë shkollat tona shumë të mira dhe
të mos lejojmë largimin e mendjes nga Shqipëria,
që përbën një pasuri kombëtare. Ne nuk
mund të shkojmë të gjithë jashtë shtetit
si refugjatë për të punuar dhe për të
studiuar. Detyra jonë si qytetarë dhe si patriotë
është ta begatojme Shqipërinë me pasuri dhe
me dije.
Unë ndjek me vemendje cdo hap që bëni ju përpara
dhe gëzohem kur shoh se si rriteni para syve të mij.
Qysh ne muajt e pare të shkollës ju filloni të
flisni si juristë, të mësoni terminologjinë
fillestare të shkencave juridike, më vonë i thelloni
dijet në fushën penale apo civile dhe jam i sigurt,
se shume nga ju, do të arrini majat, kur të dilni në
jetë .Bashkë me ju rritet dhe Universiteti "LUARASI";
ai shtohet me studentë të rinj, me profesorat, me tekste
juridike, me mjedise dhe teknologji të reja dhe moderne.
Në qoftë se gjatë karrierës sime të
gjatë si profesor i së drejtes kam arritur ndonjë
sukses, këtë ja kushtoj dashurisë dhe respektit
që kam patur për studentët. Ata ma kanë shpërblyer
në të njëjtën mënyrë. Shpërblimi
dhe gëzimi më i madh për mua është kur
dëgjoj studentët të pohojne se "Ne vijme me
gëzim dhe kënaqësi në këtë shkollë".
Prof. Dr. Aleks LUARASI
Themelues dhe drejtues i Universitetit "LUARASI"